Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në “Facebook” një foto ku shihet faqja online e shërbimit të Kadastrës. Rama thonë se aty faktohet fluksi i punës me datat hyrëse e dalëse të aplikimeve pa kontakt fizik me punonjësit.
“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit”, shkruan kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, për këtë shërbim digjital puna do të jetë e pandërprerë për ta bërë sa më efiçent.
“Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin”, përfundon ai.