14 persona kanë vdekur dhe 150 raste janë konfirmuar me sëmundjen e Legjionarit në Poloni. Pjesa më e madhe e të infektuarve janë dërguar në spital që pas shpërthimit të sëmundjes gjatë javës së kaluar.
Ditën e martë u diagnostikuan 9 raste të reja.
Autoritetet po hetojnë se si bakteri legionella që është shkaktari i sëmundjes, ka hyrë në tubacionet e ujit në Rzeszow dhe rrethinat e tij. Ky qytet është qendër e ndihmës ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe në të ndodhen shumë trupa ushtarake amerikane ndaj shpërthimi i sëmundjes ka shkaktuar shqetësim.
Sëmundja e Legjionarit është një infeksion i rëndë i mushkërive që transmetohet nga hyrja në to e pikave të vogla të ujit të infektuar, jo nga pirja e tij. Nuk është sëmundje ngjitëse.
Njerëzit mund të infektohen kur bëjnë dush, shkarkojnë tualetin ose nga sistemi i ajrit të kondicionuar. Simptomat fillestare ngatërrohen me gripin dhe më të prekshëm janë personat mbi moshën 50 vjeç ose ata që kanë sistem të dobët imunitar apo sëmundje bashkëshoqëruese.
Sëmundja e Legjionarit trajtohet me një terapi antibiotikësh.
Pjesa më e madhe e personave që ndërruan jetë ishin të moshuar. Të gjithë vuanin nga sëmundje të tjera kronike, përfshirë kancerin.
Në ujësjellësin e komunës është hedhur klor si masë mbrojtëse dhe autoritetet kanë udhëzuar qytetarët që ta ziejnë përpara se ta pijnë. Hetimi për të përcaktuar vatrën e sëmundjes vijon.