“Do ta ndjekim procesin gjyqësor në Itali që drejtësia të shkojë në vend”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës së tij në banesën e Klajdi Bitrit, 23-vjeçari nga Lushnja që u vra në Itali të dielën e kaluar nga një algjerian me shtizë peshkimi teksa ai thjesht po përpiqej të shuante një sherr të mikut të tij italian.

Ministri Balla ka ngushëlluar nga afër prindërit e të riut dhe u ka shprehur gatishmërinë e shtetit për të qenë pranë dhimbjes së tyre dhe për çdo nevojë që ata do të kenë.

Është një dhimbje që kurrë s’ka për t’u shuar”, iu drejtua Balla familjarëve.

Babai i Klajdit ritheksoi se nuk heq dorë derisa të gjejë drejtësi për djalin e tij.

Mes dhimbjes e lotëve është kryer ceremonia mortore e të riut Bitri në qytetin e tij të lindjes. Miq e shokë i dhanë lamtumirën e fundit. Mësohet se bashkia e Lushnjes ka dhënë 5 mln lekë të vjetra për shpenzimet e varrimit të Klajdit.