Çmimet u ulëta dhe numri i madh i turistëve që vizituan Shqipërinë këtë sezon turistik kanë tërhequr vëmendjen e gazetës franceze “Le Parisien”, që e cilëson vendin tonë një “Eldorado të re turistike për italianët”.
Gazeta shkruan se Kostot e ulëta bënë që italianët të braktisnin plazhet e jugut të tyre dhe të kalonin masivisht Adriatikun për të pushuar në Shqipëri.
Sipas “Le Parisien”, janë rreth 500 mijë italianë që këtë verë pushuan në plazhet e Durrësit, Vlorës apo Sarandës.
Gazeta ndalet dhe tek vizita e kryeministres italiane Giorgia Meloni si dhe tek postimi i kryeministrit Edi Rama që krahasoi periudhën kur shqiptarët emigronin masivisht drejt gadishullit Apenin me bumin e tanishëm të italianëve që vizitojnë Shqipërinë dhe që shkaktoi mjaft polemika.
Sipas gazetës franceze, Shqipëria po ndjek të njëjtën rrugë si Kroacia për të zhvilluar në masë të madhe turizmin e huaj në bregdet. Më tej “Le Parisien” citon edhe kryeministrin Rama që tha se Shqipëria është një Itali e vogël, por edhe paralajmërimin e tij se edhe këtu çmimet do të rriten, pasi vendi do të shkojë drejt një turizmi elitar.