Raportet mes presidentit Trump dhe doktor Antoni Fauçit, eksperti më i lartë i sëmundjes infektive në Shtëpinë e Bardhë, janë në pikën e tyre më të ulët që prej fillimit të pandemisë. Fauci u shpreh se me sulmet ndaj tij Presidenti Donald Trump kërkon të heqë vëmendjen.

Trump e quajti Fauçin një ditë më parë “katastrofë” dhe “idiot”.

Kur u pyet nga KNX Radio nëse po mendonte të largohej nga detyra pas deklaratave të Presidentit amerikan, Fauçi u përgjigj me një frazë nga filmi i famshëm “Kumbari”.

“Unë përqendrohem totalisht te shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve të vendit tim. Jam përkushtuar në këtë gjë përgjatë 50 viteve të karrierës sime. Vetëm kjo gjë më intereson. Gjërat e tjera janë si te filmi “Kumbari”: “Asgjë personale, thjesht biznes”. Unë dua vetëm të bëj punën time dhe të kujdesem për popullin. Kaq dua unë”, u shpreh Fauci.