Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se jo të gjitha marrëveshjet me Serbinë mund t’i pranojë Kosova.

Ai para mediave nënvizoi se nuk mund të pranohet bosnjëzimi i vendit, ndërsa akuzoi Bashkimin Europian për humbje të balancës në dialog.

“Mua më duket e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia, sikur dorëheqja pa kurrfarë procedure e kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona, të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht Bashkimi Evropian po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë.

Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë, ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet, dhe vetë atje është për këtë punë që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo. Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore, qendrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e spotu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës”, tha Konjufca.