Nga Bujar Qesja

Bëhet fjalë për kupën “Idriz Muço” në not. Saranda me 10 shtator 2023, ishte e ngritur e tëra në këmbë. Zhvilloheshin garat për maratonën e notit jo vetëm për veteranët, por për të gjithë grup moshat.

Atë ditë vëmëndja ime, ishte përqendruar tek veteranët. Organizimi më shumë anonte tek ta, por pa lënë pas dore edhe të vegjëlit. Por disa garime u detyrova ti ndiqja, pikërisht aty ku rezultatet për notarët durrsakë, do të ishin të prekshme.

Më tërhoqën vëmëndjen disa notarë të rinj, që në gjoks kishin stemën e “Teutës”, ngjitur në fanelet ngjyrë blu. Iu qepa dy prej tyre. Në maratonën për 11-12 vjeçarët në distancën 1 kilometër, doli i pari fëmija durrsak që e kisha fiksuar. Quhet Devi Shtaro. E përqafova. Qenia nga Durrësi, më nxorri jashtë vetes dhe më gëzoi ky sukses i Devit.

Por nuk do të mjaftonte me kaq. Kur u nis maratona për 2 kilometra në moshën 14 vjeçare, dallova që të hidhej në ujë edhe notari shtatlartë Ediliano Huna. Edhe ky kishte stemën e “Teutës” skalitur në gjoks. U bëra kurioz dhe i qendrova garimit në kokë.

Po sa i fortë ky Ediliano. I “griu” kundërshtarët dhe veç kur e mbylli garën i pari. Pra dy notarë që përfaqësuan Durrësin, 11 vjeçari Devi Shtaro dhe 14 vjeçari Ediliano Huna, dolën të parët në garat e tyre të maratonës.

Nuk ia ndava edhe ceremonisë ku Devi dhe Ediliano, morën stimujt e kampionit. I bashkova të dy dhe realizova këtë kujtim të bukur. Devi dhe Ediliano, kam shpresë dhe besim se do të jenë të parët edhe në veprimtaritë në vazhdim, por kjo maratonë e notit e 10 shtatorit 2023, mbetet kujtim i çmuar që nuk harrohet.

” Idriz Muçon” e kësaj maratone e sollën në Durrës, duke ngjallur traditën e hershme, që vjen nga garimet e gjata historike prej mjeshtrave të tillë të çquar si Petrit Guma, Eqerem Korra, Mirban Kadiu, Hysen Haxhia, Kostandin Minga etj.

Devi Shtaro dhe Ediliano Huna. Mburrja durrsake në Sarandë.