Zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
Nga këndvështrimi i Kurtit, thotë ai, “duket sikur Kosovës i kërkohet t’i respektojë me ngulm marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja”, ndërsa Serbia, e cila “nuk është zotuar për nënshkrimin dhe ratifikimin e ndonjë marrëveshjeje të tillë, mund të zgjedhë çfarë të zbatojë”.
Duke folur të hënën në një konferencë me gazetarët në Prishtinë, Kurti tha se i dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve, që u zhvillua javën e kaluar.
Në atë takim, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk u pajtuan për hapat që duhet t’i ndërmarrin për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve – e arritur në Bruksel në muajin shkurt.
Zyrtarët evropianë – ndërmjetësues të dialogut – thanë se ishte Kurti ai që e refuzoi propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
“Ose do ta zbatojmë Marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i dëshiron Serbia”, tha të hënën Kurti.