Kreu i KLP, Alfred Balla ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ku në qendër të diskutimeve ishin kërcënimet e prokurorëve nga krimi i organizuar, si në rastin e bandës së Laert Haxhiut. Gjatë fjalës së tij, kreu i KLP theksoi se prokurorët e kërcënuar janë marrë në mbrojtje.
Balla ka folur pas takimit në KLP, ku u diskutua për mbrojtjen e prokurorëve, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, ku zbuloi se Laert Haxhiu donte të eliminonte dy prokuroret.
“Jemi takuar sot, nuk është takimi i parë, jemi takuar me kryetarin e KLP për këtë çështje ku kemi diskutuar dhe e kemi bërë publik faktin që kemi diskutuar për çështjen e sigurisë së prokurorëve. Dua që t’i garantoj çdo prokuror dhe çdo gjyqtar se ministria, policia dhe Garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe çdo prokurori e gjyqtari dhe familjarët e tyre. Nuk ndaj të njëjtën mendim me ju se ka mungesë të kuadrit ligjor. Populli shqiptar ka një shprehje të bukur “qentë që lehin, nuk të hanë”. Falë punës së prokurorisë kemi arritur të thyejmë kasaforta e një bande kriminale dhe besojmë se në ditët në vijim do arrijmë të thyejmë edhe të tjerë. Do jemi brenda një jave për të filluar zbatimin që do përfshin ndryshim në VKM për të garantuar që çdo gjë të jetë e reflektuar si duhet.”, tha Balla.