Ndeshja mes AZ Alkmaar dhe Legias së Varshavës në Conference League ishte e karakterizuar nga tensioni që para startit të saj. Ultrasit polakë kishin udhëtuar në Holandë edhe pa pasur një biletë për në stadium dhe para sfidës nuk munguan konfrontimet me autoritetet vendase. Megjithatë, gjithçka dukej e përfunduar dhe pas ndeshjes tifozët polakë nuk shkaktuan trazira. Por, në mënyrë të papritur pas konferencës së shtypit, teksa lojtarët e Legias ishin në autobuzë për t’u laguar nga stadiumi, mbërriti policia holandeze e cila urdhëroi që dy lojtarët Joseu dhe Radovan Pankov të zbrisnin nga autobuzi. Në rast të kundërt, autoritetet holandeze kërcënuan se do të përdornin forcën.

E megjithatë, përdorimi i forcës nuk u shmang teksa nga shtypi polak bëhet e ditur se është goditur e shkopinj gome përgatitësi fizik Michal Kwietniewski, ndërsa nuk janë kursyer edhe disa të shtyra ndaj presidentit, Dariusz Mioduski. Si përfundim, dy lojtarët e Legias u shoqëruan për në polici ndërsa trajneri Runjaic, menaxheri i skuadrës dhe avokati i klubit i shoqëruar lojtarët me taksi për t’i qëndruar afër. Nëpërmjet ambasadës polake në Holandë, Legia kërkoi informacione dhe arsye për ndalimin e lojtarëve teksa holandezët refuzuan t’i jepnin shpjegime duke qenë se dyshja e ndaluar nuk është me kombësi polake. Në këtë formë, Legia përfshiu në lojë edhe ambasadën portugeze e atë serbe për të zgjidhur situatën dhe për të nxjerrë nga telashet futbollistët e tyre për të cilët ende nuk ka një arsye se pse janë ndaluar.