Prej ditësh tashmë ka nisur shttrimi i shinave të hekurudhës Durrës-Tiranë-Rinas. Shtrimi i shinave mbi traversat e betonit po bëhet vetëm në njërin drejtim aktualisht, ndërkohë që është duke u punuar paralelisht në disa segmente të hekurudhës, që nis nga stacioni i trenit në Durrës e shtrihet tek terminali i pasagjerëve në Tiranë, afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm.
Rehabilitimi i linjës hekurudhore të gjatë 34.2 km, që lidh Tiranën dhe Durrësit, si dhe ndërtimi i rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe aeroportit të Rinasit, po realizohet me fondin 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do të financohet nga qeveria shqiptare.
Projekti Tiranë-Rinas-Durrës është i pari për modernizimin e rrjetit tejet të amortizuar hekurudhor në vend. Vendin e traversave të dikurshme prej druri e kanë zënë traversat prej betoni, siç duket edhe në planet filmike që “DurrësLajm” po publikon.
Modernizimi i linjës hekurudhore që lidh kryeqytetin me qytetin port më të rëndësishëm në vend do të bëjë të mundur që distanca kohore mes dy qyteteve të jetë 22 minuta, ndërsa në aeroport mund të mbërrihet për 12 minuta.
Sipas projektit, treni elektrik do të ketë shpejtësi 120 km/h nga Durrësi deri në stacionin e Kthesës së Kamzës, ndërkohë që nga kjo pikë deri në Tiranë do të variojë me shpejtësi të moderuar nga 50-80 km/h duke qenë se do të futet brenda në qytet.
M.B.