Trajneri Sylvinho i ka idetë e qarta për formacionin që do të hedh në fushë sonte në mbrëmje kundër Çekisë.
Dilema e vetme ishte për mbrojtjen pas dëmtimit të Ismjalit, dhe tek kjo ndeshje braziliani do të bazohet tek eksperienca e Arlind Ajetit.
Sylvinho ka treguar se nuk i pëlqen të eksperimentojë shumë dhe do të bazohet tek të njëjtët lojtar dhe modul. Në ndryshim nga ndeshja e parë me çekët, do të ketë vetëm një risi në formacion dhe kjo është zgjedhje e imponuar.
Me skemën 4-2-3-1, në portë Berisha, përpara tij Ajeti dhe Gjimshti do të formojnë murin. Në krahun e majtë Mitaj, në të djathtë Hysaj.
Në repartin e mesfushë do të luajnë përkrah njëri tjetrit Ramadani dhe Asllani, pak më i avancuar Bajrami, i cili së bashku me Asanin në të djathtë dhe Seferin në të majtë do të furnizojnë me topa në majën e sulmit Sokol Cikalleshin.
Kishte pikëpyetje për bomberin kavajas nëse do të ishte gati pas dëmtimit në Turqi, por u rikuperua në kohë dhe do të jetë nga minuta e parë kundër çekëve.
Nëse e krahasojmë me Poloninë, Sylvinho ka bërë tre ndryshime, Berisha rimerr vendin e tij pas gjendjes gripale kundër polakve, Ajeti kthehet të luajë me kombëtare për shkak të dëmtimit të Ismjalit dhe Seferi, që i rimerr vendin Uzunit.
Sfida që do të zhvillohet sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 20:45 do të jetë e dyta në histori mes Shqipërisë dhe Çekisë. Takimi i parë në Pragë përfundoi 1-1.
Holandezi Danny Makkelie do të jetë gjyqtari kryesor, ndërsa ndihmësat e tij janë Hessel Steegstra dhe Jan de Vries.






