Erzeni vijon serinë e rezultateve pozitive në Superligën e volejbollit për meshkuj. Shijakasit e Ilia Kojës regjistruan dje fitoren e pestë radhazi në kampionat, teksa mundën Elbasanin 0-3 (13-25, 21-25, 23-25) në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”.

Një sukses që e ngjit Erzenin për momentin në vend të parë në kuotën e 15 pikëve. Për sa i përket ndeshjes në Elbasan, miqve u mjaftuan 65 minuta për ta hipotekuar fitoren, teksa dominuan totalisht në setin e parë, ndërsa dy setet e tjera ishin më të ekuilibruara, por që shkuan sërish në favor të shijakasve.

Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Vllaznia mundi Teutën në Durrës 0-3 (13-25, 11-25, 12- 25). Një takim pa shumë histori, në të cilin kuqeblutë e trajnerit Artan Kakalaj fituan thellë në të tria setet.

Kanadezi i Vllaznisë, Andrew Dube, me 9 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, ndërsa shkodranët regjistruan fitoren e tretë në kampionat.