Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vizitën e emisarëve evropianë e amerikanë që mbërrijnë të shtunën në Kosovë.
Kurti shprehet se nuk e di se çfarë do të ofrojë pesëshja diplomatike, por thekson se nuk ka normalizim pa siguri.
“Ç’ka do të ofrojnë e çka do të kërkojnë do ta marrim vesh nesër, unë mund të them që nuk mund të ketë normalizim pa siguri dhe siguria e Republikës së Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin dhe shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë, me krejt çka mundemi e dimë”.
Sipas tij, është koha që të gjithë të kuptojnë se kush është Serbia dhe ta sanksionojnë atë.
“Në dhjetorin e kaluar i kishim 16 barrikada në veri, me 26 dhe 29 maj të këtij viti patëm sulm mbi policinë, mbi ushtarët e KFOR-it dhe mbi ju gazetarët. Më 14 qershor patëm rrëmbimin e policëve në Leposaviq, ndërkaq më 24 shtator patëm sulm terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën për demokracinë edhe për rajonin e Ballkanit, që ata ata që nuk e kanë ditur ose nuk e kanë kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë, sepse nuk është Kosova ajo që duhet të ketë masa por është Serbia ajo që duhet të ketë sanksione”.
Për dialogun, kryeministri tha se Kosova është konstruktive edhe në zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit, porse Serbia është fajtore për moszbatimin e saj.
“Sa i përket dialogut në Bruksel, ne kemi marrëveshje, por që përsëri Serbia nuk i ka zbatuar, e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit e kemi edhe aneksin e 18 marsit, ne kemi qenë përherë konstruktiv, të përkushtuar e kreativ dhe kurrsesi nuk ka faj apo përgjegjësi në anën tonë se Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen de facto reciproke dhe sa më parë që zbatohet ajo do të kemi jo vetëm normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tonë e rajonin”.
Përfaqësuesi i posaçëm i bllokut për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëton këtë të shtunë drejt Kosovës e Serbisë.
Ata do takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.