Superliga e volejbollit të femrave ka hapur javën e gjashtë me takimin Teuta-Lushnja, në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Një ndeshje që vendoste përballë ekipet e vendeve të fundit, të cilit kishin shënuar vetëm humbje.
Bregdetaret e trajnerit Edmond Jazexhi provuan shijen e fitores së parë sezonale, duke i mundur myzeqaret me rezultatin e pastër 3-0, në një takim që zgjati 72 minuta. Seti i parë nisi më mirë për Lushnjën, e cila pa veten deri në +6 pikë avantazh, por Teuta arriti të rikuperonte për të fituar 25-23, set që u mbyll me një bllok fitues nga Mehja.
Në fraksionin e dytë loja fillimisht ishte e ekuilibruar, me vendëset që sërish e bënë diferencën në fund, duke triumfuar 25-19. Miket provuan ta rihapnin sfidën, por edhe në setin e tretë, me kalimin e minutave loja e tyre erdhi në rënie, me durrsaket që fituan 25-21, duke vulosur suksesin final.
Kështu Teuta siguron 3 pikët e para në kampionat, ndërsa Lushnja në këto gjashtë ndeshje ende nuk ka marrë asnjë set të vetëm. Lojtarja e ndeshjes ishte Romina Matoshi, protagoniste me 20 pikë për Teutën, e mbështetur nga Flavia Memolla me 13 pikë. Në radhët e Lushnjës, asnjë lojtare nuk preku kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa shënuesja më e mirë ishte Seneriada Sharka, autore e 9 pikëve.