Bajern Mynih nuk zhgënjeu në javën e 8-të të ligës gjermane, teksa mposhti jo lehtësisht Maincin. Vendësit kishin marrë profilin e “maces së zezë” për bavarezët në tri takimet pararendëse në fushën e tyre rreth Bundesligës, e ku fitorja e fundit në “Mewa Arena” datonte në 1 shkurt të vitit 2020. Me këtë sukses kampionët do të duhet të qëndrojnë ende pas Leverkusenit dhe Shtutgartit, konkretisht me 22 dhe 21 pikë, ndërsa Bajerni grumbullon 20 të tilla, e pasur me vendin e 3-të, kuotë të njëjtë si Dortmundi.

Me suksesin në fjalë, prezenca e Tomas Mylerit në minutën e 88-të i mjaftoi të shënonte me “germa të arta” emrin si lojtari që ka numrin më të lartë të fitoreve në historinë e Bundesligës. Javën e shkuar, 34-vjeçari me origjinë nga Bavaria barazoi Nojerin (322), por dueli me Maincin, saktësisht intervali i 8 minutave aktivizim në fushë, i vuri vulën kësaj arritjeje në palmaresin e futbollistit më të trofeshëm në Mynih, 323 suksese dhe të gjitha me fanellën e klubit më të titulluar në Gjermani. Ndryshe nga Nojeri që e nisi karrierën me Shalken, futbollisti me numër “25” në kontingjentin e Tuhelit ka djersitur vetëm një fanellë, atë të Bajernit.