“Në antikitet, amfiteatri i mahniste spektatorët që në shikimin e parë, një përjetim ky që sot na përcillet mbi të gjitha falë rindërtimit tredimensional të tij, sepse ky ndërtim ndodhej i ekspozuar në shpatullën jugperëndimore të kodrës së qytetit duke i dhënë atij një pamje monumentale me ballinën 3 katëshe të orientuar nga bregdeti”.
Pas mëse 11 vitesh punë, projekti “Amfiteatri i Durrësit rindërtimi dhe kuptimi”, një bashkëpunim ky mes Institutit tonë të Arkeologjisë dhe Institutit Arkeologjik Gjerman në Romë (DAI) është konkretizuar më këtë model studimor tredimensional, që dëshmohet në dokumentarin e realizuar nga grupi i studiuesve (të plotë dokumentarin mund ta ndiqni në: https://lisa.gerda-henkel-stiftung.de/amfiteatri_durres).

Më në fund, përmes strategjive inovative në 3D ne kemi një pamje të qartë, të atij që mbetet dhe sot e kësaj dite vepra më e rëndësishme monumentale e historisë 3000-vjeçare të qytetit bregdetar.
Në një bisedë telefonike që “DurrësLajm” zhvilloi me arkeologun Eduard Shehi u munduam të kuptonim më shumë nga ky projekt që startoi në vitin 2012 për t’u përmbyllur me një studim shkencor që pritet ta shohë së shpejti dritën e botimit.

Për të arritur në modelin 3D, puna e arkeologëve është ndërthurur mes rilevimeve në terren dhe punës studimore disa vjeçare në bibliotekë duke analizuar të gjitha dokumentet antike dhe ato të kohëve të mëvonshme, ku përmendet amfiteatri i Durrësit.
“Kuptimi dhe interpretimi më i saktë i aspekteve strukturore, arkitektonike dhe inxhinierike te monumentit ishte ndër qëllimet kryesore të projektit tonë. Në 100 faqe artikull shkencor tregohet historiku i gërmimeve në amfiteatër, fazat ndërtimore të tij, bëhen analiza se pse u zgjodh ajo hapësirë për ndërtimin e monumentit etj”,- thotë Shehi.

Ndërtimi i një amfiteatri dëshmonte rëndësinë dhe madhështinë që kishte një qytet i perandorisë romake në kohët antike. Shembulli më konkret është godina gjigande e Koloseut në Romë. Në qytetet e tjera të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, ku u ndërtuan amfiteatrot antikë, gjatë ndërtimit projektuesit iu referuan pa diskutim modeleve romake. Ndryshim nuk mund të bënte as Dyrrahu antik i shekullit II e.s.
“Ndërtesa ofronte hapësirë të bollshme për qytetarët e Dyrrahut dhe spektatorët, anëtarët e ushtrisë apo dhe banorët e prapatokës dhe qyteteve fqinje të joshur nga lojërat afroheshin që nga porti, me gjasë përmes një sheshi para ballinës, e cila shquhej për dekore të shkëlqyera”,– thuhet ndër të tjera në dokumentar.
Ishte Këshilli i qytetit që vendosi për ndërtimin e amfiteatrit, në një hapësirë jashtë qytetit, të mbështetur në kodër. Në ndryshim nga sivëllezërit e tij në qytetet kryesore të perandorisë romake, monumenti i Durrësit dallonte nga detajet për shkak të kostove financiare.

“Ashtu si në të gjitha kohërat shpenzimet përbënin kriterin më të rëndësishëm për një ndërtim. Natyrisht funksionaliteti nuk duhej të mungonte dhe të vazhdonte të ishte mbresëlënës. Ndoshta ishin këto arsyet që e shtynë arkitetin dhe sipërmarrësin t’i propozonin këshillit të qytetit të Dyrrahut, modelin e përzgjedhur për ndërtim. Vendndodhja ishte në kuptimin e plotë të fjalës e shkëlqyer. Megjithatë u bënë kursime shumë të mëdha për nënstrukturat. Mure të lartë nevojiteshin vetëm për një të tretën e ndërtimit të shkallareve në krahun jugperëndimor. Njëkohësisht u minimizuan heqjet e dherave në faqen e shpatit, të cilat edhe në antikitet përbënin një faktor të rëndësishëm për koston.”,- thuhet në dokumentar.
Pas kësaj pune voluminoze që arkeologu Shehi ka bërë me kolegët e tij gjermanë, qytetarët e Durrësit, por edhe studiuesit, të apasionuarit pas arkeologjisë dhe historisë si dhe institucionet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore kanë një imazh më të qartë të asaj që ishte në antikitet amfiteatri, funksioni pse u ndërtua, braktisja e tij rreth shekullit IV e.s., multifunksionet që ai mund të ketë pasur në rrjedhën e shekujve, mbulimin tërësor të tij në kohët moderne dhe rizbulimin e tij nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi.
Por a është ky një studim shterues?
“Jo nuk është një studim shterues. Pa u realizuar gërmimi në disa pjesë të caktuara të amfiteatrit nuk mund të flasim për një njohje të plotë shkencore të këtij monumenti”,- thotë arkeologu Shehi.
Në amfiteatrin antik aktualisht është duke u kryer një ekspeditë arkeologjike, bashkëpunim ky mes Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit Chieti-Pescara. Ndërkohë në të ardhmen, Minnistria e Kulturës dhe AADF synojnë zbulimin e plotë të tij, duke ndjekur një sërë hapash që parashikon Plani i Menaxhimit, hartuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.
Për arkeologun Shehi një gjë është shumë e qartë:
“E ardhmja e monumentit është në dorë të vendimmarrjes politike. Jam pak dyshues për cilësinë e propozimeve dhe fatin e mëtejshëm të projekteve që planifikohen të realizohen në amfiteatër”.
I njëjti apel vjen dhe nga stafi realizues i dokumentarit që finalizoi edhe projektin “Amfiteatri i Durrësit, rindërtimi dhe kuptimi.”
“Këtu mbetet për të shpresuar që në të ardhmen mbi bazën e modelit 3D të hartohet një koncept, që i kushton më shumë vëmendje rrënojave arkeologjike në imazhin e qytetit, vëmendje e cila i jep dinjitetin monumental që i takon pa rënë pre e tundimit për ekstravagancë dhe atraksion për parqe tematike.”
M.B.





