Shkolla më e madhe profesionale në Durrës, “Beqir Çela” hapi sot dyert e saj, ndërkohë që disa prej projekteve dhe punimeve më të mira të realizuara nga nxënësit në orën e praktikës ishin ekspozuar në oborrin e institucionit arsimor.

Për nxënësit e 5 degëve, që ofron kjo shkollë, ndjekja e arsimit profesional është zgjedhja më e mirë që kanë bërë për t’u integruar në të ardhmen sa më lehtë në tregun e punës dhe për të zotëruar një zanat aq shumë të kërkuar në ditët e sotme.

E njohur si një nga shkollat më të mira profesionale në shkallë vendi, “Beqir Çela” synon të kthehet së shpejti në një kampus të arsimit profesional. Për drejtorin e saj Fatmir Mërkuri, kjo ditë e hapur është një mundësi më shumë për të forcuar lidhjet me bizneset dhe sipërmarrjet që operojnë në Durrës, të cilat në të ardhmen do të plotësojnë stafet e tyre pikërisht me këta nxënës.

Përveç panairit të aftësive që ne zhvillojmë sot në ditën e “Dyerve të hapura” shkolla ka edhe dy aktivitete të tjera të integruara brenda këtij aktiviteti të madh. Kemi “Ditën e vajzave” si dhe do të zhvillojmë një takim shumë të rëndësishëm përsa i përket bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të partneritetit të shkollës me bizneset dhe me pushtetin qendror dhe lokal. Aktualisht nga gjurmimi që ne kemi bërë për nxënësit që kanë mbaruar vitin e kaluar në shkollën profesionale “Beqir Çela77% e tyre janë të punësuar”.

Në kohën kur tregu i punës po vuan për punonjës profesionistë, shkollat profesionale janë një nga furnizuesit kryesorë për industrinë vendase.

“Ka qenë një bashkëpunim afatgjatë që ne shpresojmë dhe jemi të sigurt, që do të jetë edhe më afatgjatë dhe akoma më i ngushtë. Ky panair e tregon më së miri fokusin dhe vizionin e shkollës, që është edhe fokusi i biznesit tonë dhe normalisht duhet të jetë i çdo biznesi”,- deklaroi Nevi Kelmendi, drejtoreshë komerciale pranë një sipërmarrje private në qytetin bregdetar.

Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë nxënëse po zgjedhin të studiojnë në këtë shkollë profesionale dhe pikërisht në funksion të kësaj po zhvillohej sot edhe projekti “Dita e vajzave”. 

M.B.