Pas përgatitjeve intensive gjatë javës, Teuta është gati për një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, këtë herë në transfertë ndaj Bylisit. Një përballje që pritet të jetë e luftuar dhe vendimtare për ecurinë e skuadrës durrsake. Në prag të këtij takimi, mesfushori Daniel Votlai flet për formën e ekipit, objektivat dhe atë që pret nga kjo ndeshje delikate larg shtëpisë.

Daniel, si po shkon përgatitja e ekipit për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit në transfertë?

Po përgatitemi shumë seriozisht. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, sidomos në transfertë, por skuadra është e fokusuar dhe po punon fort gjatë javës për të marrë një rezultat pozitiv.

Çfarë prisni nga kjo përballje?

Presim një ndeshje të luftuar. Bylisi është një ekip që në fushën e vet bëhet i fortë dhe kërkon gjithmonë pikë. Ne duhet të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri në fund.

Si e vlerësoni formën aktuale të Teutës?

Kemi pasur ulje-ngritje, por mendoj se jemi në rrugën e duhur. Po rritemi si grup dhe po kuptohemi më mirë në fushë. Kjo është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë.

Roli juaj në mesfushë sa i rëndësishëm është për këtë ndeshje?

Mesfusha është çelësi i lojës. Duhet të kontrollojmë ritmin, të fitojmë duelet dhe të ndihmojmë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Do jap maksimumin për ekipin. Sigurisht që synimi është fitorja. Çdo ndeshje e shohim për tre pikët, por në transfertë çdo pikë ka vlerë. Megjithatë, do futemi në fushë për të fituar.