Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, i cili sipas kryeministres serbe Ana Bërnabiç, ishte pasojë e “frikës dhe terrorit të ushtruar nga Prishtina”, ndërsa për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ishte “një akt agresioni” i Serbisë .
Ngjarjet e 24 shtatorit përshkuan pothuajse të gjitha diskutimet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilat u bë thirrje për vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
Sulmi i një grupi serbësh të armatosur që vrau një oficer policisë u mor përsipër nga Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç tha se “strukturat serbe të sigurisë nuk kanë të bëjnë asgjë me grupin e sulmuesve në fshatin Banjskë”.
Sipas saj, ngjarjet në Banjskë “janë pasojë logjike e frikës dhe terrorit që ka ushtruar Prishtina me gjithë thirrjet për shtensionim”.
Ajo akuzoi autoritetet e Kosovës për “fushatë të spastrimit etnik” dhe bëri thirrje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë për sigurinë në veri të Kosovës.
Sipas kryeministres serbe zyrtarët në Prishtinë, kanë vetëm tri mesazhe kryesore për serbët: “ata serbë që kanë ikur pas vitit 1999 dhe ata pas vitit 2004 nuk kanë ku të kthehen” Mesazhi i dytë sipas saj është që “ata serbë që ende jetojnë në Kosovë dhe duan të rrinë, duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen. Ato që janë zbatuar do të bllokohen dhe zhbëhen”.
Kryeministrja serbe tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për zbatimin e marrëveshjeve tjera dhe ai “duhet të jetë në pajtim me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me 24 shtator Kosova “ishte shënjestër e një akti të agresionit të kryer nga Serbia nëpërmjet grupeve terroriste dhe paraushtarake të saj”. Ajo tha se Serbia priste të “të kishte sukses në aneksimin e saj të planifikuar të veriut të Kosovës sipas stilit të Krimesë”.
Presidentja Osmani tha se sërish Serbia provoi të minimizojë “shkallën e këtij kërcënimi të pashembullt të sigurisë dhe aktit të agresionit. Ata gjithashtu duan të shtrembërojnë të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës”.
Ajo tha se provat tregojnë se grupi që kreu sulmin është financuar, trajnuar, armatosur dhe ka marrë mbështetje dhe strehim nga autoritetet shtetërore serbe.
“Më lejoni të jem e qartë, ajo që ndodhi nuk është si rezultat i të ashtuquajturit “terror” kundër serbëve të Kosovës, por përkundrazi një pasqyrim i oreksit të fortë dhe historik të Serbisë për më shumë destabilitet, për më shumë territor”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se në përpjekjet për të avancuar të drejtat e çdo komuniteti, dhe në këtë rast të pakicës etnike serbe, Kosova është e gatshme të bëjë edhe më shumë për komunitetin serb.
“Por nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes të cilëve ajo mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë tonë”, tha presidentja Osmani, duke nënvizuar se nuk duhet lënë propagandën të fitojë por duhet luftuar për të vërtetën.
“Ekziston vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet, ajo është se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni nga Serbia; se Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë për hir të pengimit të integrimit të tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës; se Serbia dëshiron territorin e Kosovës, të cilin nuk do ta marrë kurrë”, tha presidentja Osmani duke nënvizuar se Kosova dëshiron zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Tradicionalisht debatet e tilla në Këshillin e Sigurimit pasqyrojnë qëndrimet e vendeve anëtare rreth pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore dhe kundërshtohet nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. /VOA