Për herë të parë që prej largimit nga Milani, Gigio Donnarumma do të luajë kundër kuqezinjve. Ai do ta bëjë këtë me fanellën e PSG-së në një ndeshje delikate të Champions për të dyja skuadrat.

Milan – “Do të jetë një ndeshje shumë emocionale për mua. Të gjesh sërish Milanin është një emocion i madh, një ndeshje e veçantë. Por duhet të lë emocionet dhe të mendoj për lojën. Ndihem shumë mirë këtu, kam një familje të madhe në PSG si te Milani. Kalova 8 vjet, klubi më ka dhënë gjithçka dhe unë do t’i falënderoj përgjithmonë. Por ndihem mirë në Paris, gjeta një ambient të jashtëzakonshëm që nga dita e parë. Tifozët më pritën shumë mirë dhe unë përpiqem të jap gjithçka për PSG-në”.

Neëcastle – “Ishte një ndeshje që mund të kishim bërë më mirë, ne jemi shumë të zemëruar për këtë. E dinim që nuk ishte e lehtë në shtëpinë e tyre. Të shkosh për të luajtur atje ishte e komplikuar, por ne duhet të shohim përpara”.

Mike Maignan – “Maignan është një portier i madh, ai është titullar për kombëtaren franceze dhe jam i kënaqur me atë që po bën. Ka respekt të ndërsjellë dhe i uroj fat për gjithçka që ka”.

Forca e Milanit – “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, e vështirë. Forca e tyre është kompaktësia e grupit. Unë e njoh Piolin se si i përgatit ndeshjet, duhet të jemi të kujdesshëm. E kemi përgatitur shumë mirë lojën nga të gjitha pikëpamjet dhe jemi gati. Kjo është një sfidë ku ne do të përpiqemi të fitojmë. Nuk ka asnjë favorit, grupi është shumë i balancuar.  Do të jetë çështje ekuilibri në fund, por ne do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen”.

Kritikat pas largimit – “Është e trishtueshme sepse gjithmonë kam dhënë gjithçka në Milan deri në ndeshjen e fundit. Është normale që kritikat të jenë shumë zhgënjyese. Megjithatë, tani nuk ka kohë për të menduar për këto, do të ketë një mënyrë, por tani jam i fokusuar në ndeshjen e vështirë, emocionuese. Nuk duhet të kapem nga emocionet, të cilat do të jenë të shumta. Në fillim nuk ishte e lehtë këtu, sepse kam shumë miq në Itali, në Milano. Pak nga pak më pas u ambientova dhe tani edhe këtu kam shumë miq. Mësova pak gjuhën dhe komunikoj mirë me të tjerët, ndihem shumë mirë. Unë përpiqem të përmirësohem në gjithçka, jo vetëm në një gjë”.

Luis Enrique – “Ne jemi shumë të lumtur që e kemi atë si trajner, ne përpiqemi të përmirësohemi çdo ditë. Ne synojmë të ecim përpara dhe të luajmë futbollin tonë, duke mbizotëruar në çdo ndeshje. Ai na motivon shumë dhe është i lumtur me mua dhe përparimin që kam bërë”.