Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, njoftoi se do të ulet çmimi i naftës për të gjithë fermerët.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se tashmë çmimi i naftës do të jetë gjysmë për gjysmë, pasi do hiqet taksa e qarkullimit, akciza dhe taksa e karbonit.
“Tani jemi në kushtet kur mund të ndërhyjmë dhe do ndërhyjmë, me një regjim të ri për karburanin për prodhimin bujqësor. Nga karburanti për prodhimin do heqim akcizën, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit. Faktikisht do të ulim gjysmë për gjysmë çmimin e karburanit.
Çdo fermer që ka tokë, në pronësi apo me qira, që ka një Nipt fermeri do bëjë aplikim falas pa asnjë vështirësi do të përfitojë nga ulja e naftës, por do të marrë dhe një sasi nafte falas.
Sot ne besojmë që menjëherë skema mund të përfshijë rreth 70 mijë fermerë të regjistruar dhe potenciali është për të shkuar më tej. 47 mijë prej tyre e kanë Niptin”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se ndërhyrja mund të bëhej vetëm tani dhe jo më parë, pasi tani janë konsoliduar financat e shtetit. Më tej ai tha se vendimi nuk do hyjë në fuqi që tani, por që nga janari i vitit të ardhshëm.





