Jamarbër Malltezi ankimon vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila vendosi masën “Arrest me burg” disa ditë më parë.
Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur më 23 tetor, Malltezi deklaroi se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.
Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo sportive sikurse e përmend akuza.
Malltezi theksoi se kjo që po i bëhet personit të tij është sulm politik. Ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme se ka marrë për bazë “fotokopje” gjithçka ka thënë akuzatori kryesor në këtë çështje, Taulant Balla.
Nga ana tjetër, GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ndërtuesin Fatmir Bekteshi. Pasi u njoh me masën e sigurisë, Bektashi deklaroi se i qëndron përballë drejtësisë sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do e vërtetojë koha.