Teksa BE-ja kërkon ta gjejë fajin tek Kosova për ngecjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Reinhard Butikofer e sheh përgjegjësinë edhe diku tjetër.
Në bisedimet e reja të zhvilluara në Bruksel të enjten lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, nuk pati takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Të dy ata zhvilluan takime të ndara me liderët evropianë, Olaf Scholz dhe Emanuel Macron e Meloni.
Pas takimeve Borrell tha se puna po vazhdon dhe se për Kosovën dhe Serbinë s’ka zgjidhje tjetër përveç asaj që del nga dialogu. Por Butikofer shpreh shqetësimin se shefi i diplomacisë së BE-së po i fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë, ndërsa nuk përmend aspak aktin e agresionit serb të 24 shtatorit.
“Kjo është vërtet interesante: E vetmja pengesë, që përmend Borrell është Asociacioni. A nuk kishte pengesa edhe nga pala serbe? A është e drejtë të “harrohet” përmendja e të gjitha akteve të fundit të agresionit serb? Kryeministri Kurti tha publikisht se ishte i gatshëm të firmoste gjithçka që BE-ja vendosi në tryezë, ndërsa Vuçiçi e refuzoi një gjë të tillë. Pra, pse atëherë Borrelli fajëson të dyja palët në mënyrë të barabartë? Pastaj, a i kujtohet Borrellit që Parlamenti Europian kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës? Përse nuk flitet për këtë? Sa shumë pyetje”, ka shkruar Butikofer në platformën X.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit një ditë më parë e penguan kushtet që paraqitën palët. Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiç këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.