Tërmeti i viti 2019 nxori si kurrë më parë në pah nevojën për të monitoruar aktivitetin sizmik në vend.
Nisur edhe nga ajo që ndodhi si në drejtim të jetëve të humbura, por edhe dëmeve materiale, Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu një kontroll për aktivitetin në tre vitet e fundit të Institutit të Gjeoshkencave.
KLSH gjeti se në institucionin përgjegjës për monitorimin e tërmeteve, një stacion sizmik kishte problematika ndërsa godina në të cilën ndodhen pajisjet nuk është në kushte të mira.
Gjithashtu sipas KLSH, “Gjeoshkencat” nuk kanë as laborator për kryerjen e analizave të ndryshme dhe institucioni nuk ka inventarizuar bazën e vetë materiale.
“Është e vërtetë që një nga gjetjet është pikërisht kjo që ju sapo cituat dhe në mënyrë specifike i referohet stacionit sizmologjik Shkodër. Është një gjetje e cila nuk është përgjithësuese. Sipas mendim tim personal, por edhe institucional. Sepse rrjeti sizmiologjik nuk përbëhet vetëm nga ai i Shkodrës. Sigurisht ky është një problem i mbartur”, tha Edmond Dushi.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, KLSH ka gjetur gjithashtu se Instituti i Gjeoshkencave në vitin 2020 realizoi vetëm 4.1 për qind të investimeve të planifikuara. Niveli i investimeve rezulton të jetë rritur në 8.8 për qind në vitin 2021 dhe 41 për qind gjatë 2022-shit.
“Në gjithë jetën e vetë, rrjeti sizmologjik, që nga viti 1974 e deri më sot ka pasur si tërmet më të fortë atë të Durrësit (2019). Dhe kjo tregoi se ajo infrastrukturë e trashëguar nuk ishte në nivelin e duhur. Ndaj ne investimet i kemi të përqendruara kryesisht në teknologji”, shtoi Dushi. Nevoja për të rritur fondet në dispozicion pranohet edhe nga zëvendës-drejtori i Institutit të Gjeoshkencave, Edmond Dushi i cili paralajmëron aktivitet sizmik në vijim.
“Pjesa veriore e Adriatikut është aktive dhe ka tërmete mbi mesataren. Duhet të jemi në alert për të pasur një aktivitet ndoshta në të ardhmen”, tha Dushi.
Për të monitoruar në kohë reale aktivitetin sizmik në vend? Instituti i Gjeoshkencave thotë se ka konceptuar një aplikacion i cili do t’u vihet së shpejti në dispozicion edhe qytetarëve në vend./GazetaDita