I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë me dije se do të ftojë kryenegociatorët e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Në një postim në Facebook  Lajçak shkruan se mirëpret faktin që Kurti dhe Vuçiç treguan gatishmëri për zbatimin e marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet.

Ai thotë se Kurti e Vuçiç kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të jenë në gjendje t’i sqarojnë ato në javët në vijim. Lajçak ka folur edhe për asociacionin, duke thënë se po kërkojnë opsione moderne evropiane, porse asociacioni nuk është vetmja çështje që ka nevojë për zbatim pasi edhe Serbia ka obligime të pazgjidhura.

Sipas tij, fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.

Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka shkruar diplomati sllovak.