Me zhvendosjen e akrepave të orës një orë mbrapa, nga ora 3:00 në 2:00, ka mbaruar koha verore dhe ka nisur llogaritja dimërore e kohës.
Lëvizja e orës ndikon negativisht në shëndetin e popullatës dhe mund të qëndroni pozitivë duke përdorur zakone të caktuara.
Llogaritja verore e kohës u krijua për t’u dhënë njerëzve një orë shtesë të ditës, por realiteti është se ndërsa dimri afrohet dhe nata bie më herët, shumë njerëz e fillojnë dhe e përfundojnë ditën e tyre të punës në errësirë, me pak mundësi për të kaluar kohë në dritën e diellit. Është ky lloj ndryshimi që mund t’i bëjë disa njerëz të ndihen në depresion. Ekspertët shpjegojnë se çrregullimi afektiv sezonal (SAD) është një lloj depresioni që vjen dhe shkon me ndryshimin e stinëve.
Në ditët e para tregohuni më të kujdesshëm se zakonisht dhe merrni masa parandaluese. Në ditët pas lëvizjes së orës, duhet t’i shmangni gjërat që ju bëjnë jo komodë dhe nervozë. Një ritëm i ngadaltë do t’ju ndihmojë të përshtateni. Fatmirësisht, lajmi i mirë është se ka gjëra që mund të bëni për të qëndruar pozitiv gjatë muajve të dimrit. Një nga këshillat e para është të dilni jashtë çdo ditë, të paktën për disa minuta.
Shumë njerëz, veçanërisht ata që punojnë nga shtëpia, ndihen sikur janë të lidhur me zinxhirë në tavolinat e tyre. Sidoqoftë, ndryshimi për vetëm disa minuta i rutinës, mund të nënkuptojë një ndryshim të plotë në gjendjen emocionale. Një shëtitje më e gjatë në natyrë gjatë ditëve të fundjavës mund të jetë gjithashtu shumë e dobishme.
Ndryshimi i orës mund të ndikojë në ritmin cirkadian të trupit që e rregullon gjumin, ndërsa gjumi i pamjaftueshëm ndikon ndjeshëm në gjendjen emocionale, duke e bërë të vështirë përqendrimin dhe të qenurit produktiv. Për ta përmirësuar gjumin, psikologët para së gjithash rekomandojnë që të shmangni stimuluesit, si kafeja, alkooli, por edhe celularët, përpara se të flini. Është mirë ta pakësoni sasinë e kafesë dhe cigareve dhe ta pasuroni dietën ushqimore me fruta dhe perime të freskëta. Ushqimi i lehtë i pasur me vitamina dhe minerale, do ta zgjojë trupin dhe do ta rivendosë energjinë dhe ekuilibrin natyror.
Dijeni se një i rritur ka nevojë për shtatë deri në tetë orë gjumë gjatë natës, prandaj përpiquni ta përcaktoni kohën më të mirë për të fjetur, në varësi të kohës kur duhet të zgjoheni në mëngjes. Cilësia e gjumit është po aq e rëndësishme. Para se të flini, fikni të gjitha pajisjet elektronike në dhomën e gjumit që mund t’jua shqetësojnë gjumin dhe sigurohuni që dhoma të jetë e ajrosur dhe e errët, në mënyrë që të mund të flini më lehtë dhe të zgjoheni në mëngjes të pushuar dhe gati për ta nisur ditën. Është vërtetuar gjithashtu se meditimi i ndihmon njerëzit të relaksohen dhe t’u qasen sfidave të jetës me një mentalitet më pozitiv. Meditimi i rregullt mund t’i ndihmojë disa njerëz t’i menaxhojnë më mirë shqetësimet dhe ankthin e tyre.