Foto ilustruese për parqe të ngjashëm
Bashkia Durrës po planifikon të investojë për një park urban në zonën e Spitallës, në një hapësirë publike që përfshin lagjen nr.8 dhe nr.15.
3 ditë më parë, bashkia ka hapur tenderin “Studim projektimi parku urban Spitallë”, i cili synon rikualifikimin urban të zonës pas dy investimeve të tjera aty, të realizuara përgjatë viteve të fundit.
“Në vitet 2019-2020 Bashkia Durrës ka realizuar investimin me objekt “Rehabilitim i Kanalit KUL, faza II dhe faza III”, i cili ka realizuar ndërtimin e kanalit të mbyllur me strukturë beton – arme. Mbulimi i këtij kanali është zgjedhur si alternativa më e mirë që do të shërbejë si rrugë lidhëse me rrugën kryesore “A.Goga”.
Gjithashtu aktualisht Bashkia Durrës po zbaton investimin me objekt “Rehabilitimi i Infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto-Romanos – Kënetë dhe sistemimi i rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të Qytetit të Durrësit, Faza I”.
Të dyja këto investime kanë lidhje me të njëjtin kanal i cili është mbyllur për një gjatësi prej 1.08 km ku kërkohet të zhvillohet dhe projekti në fjalë për Parkun Urban Spitallë”,- shkruhet në dokumentet bashkangjitur tenderit.

Projektimi i parkut të ri urban pritet t’i kushtojë bashkisë 2.4 milionë lekë të reja..
Zona ku do të kryhet investimi ndodhet në veri-perëndim të qytetit dhe karakterizohet nga rritja e numrit të popullsisë si rezultat i ndryshimeve demografike që ka pësuar në periudhën e pas viteve 90-të.
Sipërfaqja që do të zihet nga ky rikualifikim urban është 10.000 m2 park urban dhe 20.000 m2 siperfaqe rruge.

Si parashikohet të rikualifikohet zona
“Nga këto dy investime jane përfituar 1.08 km gjatësi hapësirë publike, dhe me qëllim shfrytëzimin maksimal të kësaj hapësire, kërkohet të realizohet një zonë rekreative, me krijimin e hapësirave të gjelbëruara mbi të me mbjelljen e pemëve, vendosja e disa stolave për pushim, krijimin e disa parqeve me kënde lojërash për fëmijë, etj”,- shkruan bashkia.
Përgjatë këtij aksi, nëntokë është kanali i kullimit të ujrave te shiut i cili ishte i ndotur nga ujrat e zeza dhe papastërti të ndryshme për shkak të ndërtimeve informale dhe pakujdesisë së komunitetit. Prej ndërhyrjes së Rrjetit të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Durrës u krye izolimi i kanalit duke i lënë mundësi të plotë rehabilitimit të tij dhe krijimin e një hapësire publike me gjerësi që varion nga 9 m deri ne 10 m, e cila propozohet si një park urban.
Në gjëndjen ekzistuese rruga automobilistike nuk është e asfaltuar, mungojnë korsitë e biçikletave, hapësirat për lëvizjen dhe qëndrimin e kalimtarëve, hapësirat rekreative për grupmosha të ndryshme dhe një gjelbërim i sistemuar.
Ndërhyrjet në këtë zonë janë të nevojshme me qëllim që ky projekt:
- Të rigjenerojë zonën si nga ana fizike ashtu edhe nga ana urbane e vizuale;
- Të ofrojë kushte dhe mundësi më të mira rekreative për banorët;
- Të nxisë zhvillimin e aktiviteteve rekreative në zonë nëpërmejt nyjeve të posacme rekreative;
- Të rrisi frekuentimin e zonës ;
- Të unifikojë vizualisht e funksionalisht zonën.
M.B.





