Vëllai i Etleva Bodit, e cila u mbyt nga bashkëshorti i saj, Selami Bodi, në banesën e tyre në Savona të Italisë ka rrëfyer detaje nga ngjarja.

Ai ka treguar se djali 13-vjeçar i çiftit ishte dëshmitar okular i ngjarjes së rëndë, i cili ka parë gjithë momentin kur i ati i mbyti nënën e tij.

Vëllai i Etleva Bodit ka treguar se motra ishte e mbyllur në dhomë me djalin dhe s’ka qenë duke folur në telefon, siç pretendoi bashkëshorti pas vrasjes, por me të birin e mitur.

Ai tha se kunati në momentin që i biri ka hapur derën ka hyrë në dhomën duke i vendosur duart në fyt 31-vjeçares.

“Ishte nipi dëshmitar i ngjarjes, ka parë gjithë situatën. Ka qenë në mbyllur në dhomë me nënën e tij, Nuk ka qenë në telefonatë, por halucinacioni i tij, Motra ka qenë duke folur me nipin, ai ka menduar se po flet në telefon. Në momentin që nipi ka hapur derën, bashkëshorti i ka vendosur duart në fyt”, tha i vëllai në emisionin “Me zemër të hapur” të moderatores Evis Ahmeti.

I vëllai i viktimës u shpreh se çifti kishin 17 vite të martuar dhe se 31-vjeçarja nuk i ka treguar se kishte probleme me bashkëshortin.

“Kishin rreth 17 vite të martuar dhe prej 15 vitesh qetonin në Savona. Nuk kam arritur të kuptoj që kanë pasur probleme, sepse motra ka qenë e mbyllur dhe mendoj se i ka mbajtur për vete.

Nuk e kam kuptuar agresivitetin e bashkëshortit të saj. Nipi është i traumatizuar, vetëm pas ngjarjes më ka treguar problemet që kishin prindërit e tij, xhelozia dhe të tjerat.

Ka ndodhur mendoj për shkaqe xhelozie. Motra s’na ka treguar asnjë gjë.

Policia ka sekuestruar telefonat e motrës dhe bashkëshortit të saj për të zbardhur ngjarjen. Por gjithçka ka qenë gënjeshtër e tij për të shpëtuar nga kjo situatë.

Sipas nipit motra nuk ka pasur telefon fare. Telefoni gjithashtu nuk është gjetur në vendngjarje. Ai e ka kuptuar mbas shumë kohe që e ka mbytur. Nëse do kishte lajmëruar ambulancën, sot motra do të ishte gjallë. Ai ka shkaktuar dëme celebrale”, shtoi ai.