Nuk arriti t’i rrëmbente Leo Messit “Topin e Artë”, por Haaland nuk doli duar bosh. Me 56 gola të realizuar në një sezon të vetëm, çka i dhuroi tre tituj Man.City, Haaland fitoi trofeun “Gerd Myler”, si sulmuesi më i mirë i vitit:

“Dua të falënderoj shokët e mi të skuadrës dhe familjen time. Puna ime është të shënoj gola, nëse jam këtu do të thotë se jam i zoti në këtë që bëj. E vetmja këshillë që mund të jap është të keni gjithnjë uri për të shënuar”, u shpreh Haaland.

Jo vetëm ylli norvegjez, edhe Man.City, u vlerësua me çmimin si ekipi më i mirë i vitit. Një tjetër çmim i rëndësishëm “Kopa”, talenti më i mirë i vitit, i shkoi sulmuesit të Real Madrid, Jude Bellingham.

Me trofe u vlerësua edhe Emiliano Martinez, për portierin e argjentinas shkoi trofeu “Yashin”. Për mesazhe që ka përcjell kundër racizmit, me trofeun “Socrates” u vlerësua sulmuesi i Real Madrid, Vinicius Jr. “Topi i Artë” për femra i shkoi futbollistes së Barcelonës dhe Spanjës, Aitana Bonmati.