Është zbardhur dëshmia e ish-deputetit Mark Frroku, i arrestuar pas konfliktit për një çështje pronësie në Kepin e Rodonit.

Sipas News24, Frroku ka deklaruar përpara autoriteteve se e ka kontaktuar Kisha Franceskane për të kryer rrethimin e tokës në Kepin e Rodonit, ndërkohë që ai nuk ka paraqitur asnjë dokument për këtë.

Një dokument ka pasur vetëm shoferi i tij, Besnik Toma, i shpallur në kerkim policor. Policia thotë se mbetet në dore të prokurorisë marrja në pyetje e priftit të kishës për të zbardhur kontratat që janë nënshkruar.

Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri u arrestuan për “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ata pritet të dalin nesër në Gjykatën e Durrësit për vlerësim të masës së sigurisë.

Policia ka shpallur në kërkim Besnik Tomën, shoferin e Frrokut, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë në vendin e konfliktit ku u gjet edhe një gëzhojë pistolete. Ai është administrator i kompanisë “A.M-L Group”, e cila është kontraktuar për të kryer punimet e murit rrethues nga pjesëtarë të kishës.

Referuar dokumentacionit në QKB, në datën 3 korrik 2023, me vendim të Mark Frrokut, i cili është aksioner me 100% ka zgjatur emërimin e Besnik Tomës deri në vitin 2026. Nga pala tjetër në konflikt, janë vënë në pranga banorët e zonës, Bajram Kaçuli, pretendent i pronës dhe Erjon Reka, Ylli Reka e Erjon Reka, të akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Vetëgjyqësi”, të cilët janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut dhe përfaqësues të kishës katolike që po kryenin punimet e rrethimit. Policia tha se ka proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasin Ndue Sokoli për “Moskallëzim krimi”.