Në ditën e fundit të tetorit, bashkia Durrës përmbylli kalendarin e dëgjesave publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.
Dëgjesa e fundit publike ishte ajo e mbajtur në njësinë administrative Rrashbull, ku u diskutuan me të pranishmit programet më kryesore të buxhetit të Bashkisë Durrës që lidhen me infrastrukturën rrugore dhe investimet publike, arsimin parashkollor dhe parauniversitar si dhe strehimin e shërbimin social.
Duke nisur nga mesi i muajit tetor, bashkia Durrës ka zhvilluar 6 dëgjesa publike në qytet dhe njësitë administrative për të diskutuar me përfaqësues të komunitetit, grupeve të interesit dhe institucioneve kryesore investimet e realizuara në çdo zonë dhe ato që pritet të realizohen me fondet e pushtetit vendor në 3 vitet e ardhshme.
Gjatë dëgjesës së mbajtur në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” që përmblidhte lagjet kryesore të Durrësit, kryebashkiakja Sako deklaroi:
“Bashkëbiseduam për investimet që kemi bërë dhe ato që planifikojmë të bëjmë në këto zona që janë realisht zemra e Durrësit, e cila mbart në vetvete trashëgiminë kulturore, historike dhe arkeologjike të qytetit. Në këtë zonë kemi një projekt të madh për të bërë rehabilitimin e gjithë qendrës së qytetit, ku do të ndërhyhet kryesisht në objektet e vijës së parë të rrugës tregtare si dhe ndërhyrja në Amfiteatrin e Durrësit dhe Forumin rrethor prapa Pallatit të Kulturës”.
Ndërkohë projekte të tjera që pritet të vihen në zbatim për këto njësi janë ai i stadiumit, rikonstruksioni i pallatit të sportit “Ramazan Njala”, godina e parkimit publik, projekti për furnizimin 24 orë me ujë dhe investime në fusha të ndryshme si infrastrukturë rrugore e arsimore.
Gjatë dëgjesave, rëndësi u është kushtuar edhe diskutimeve të të pranishmëve rreth këtyre prioriteteve, duke dhënë mendimet, si dhe duke parashtruar kërkesat dhe sugjerimet e tyre.





