Kryedemokrati Sali Berisha shprehet se ditën e sotme, qytetarët do të shohin çdo skenar të asaj që ai e quan “betejë parlamentare”.
Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, në oborrin e Kuvendit, kryetari i PD-së Berisha thotë se Parlamenti nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale duke iu referuar forcave të shumta që e rrethojnë atë pas paralajmërimit të opozitës se sot nuk do të zhvillohet një seancë plenare normale.
Sali Berisha: Opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë që kryetarin e saj ta caktojë Edi Rama. Kjo nuk mund të ndodhë. Çdo skenar, ju do të shihni sot. Sot do të jetë një ditë… Ja si është i rrethuar në të gjithë anët. Po përgatiten që të drekojnë këtu këto. Edhe greva e urisë do të vijë. Do të përzgjidhet dhe ju do ta merrni vesh ndër të parët. Ne besojmë se Parlamenti nuk funksionon i rrethuar me njësi speciale dhe të tjera.
Një ditë më parë, po ashtu kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se “për sa kohë nuk lejohet funksionimi i opozitës, nuk do të ketë veprimtari normale të jetës parlamentare”.
Në pikat e rendit është parashikuar që në nisje një interpelancë e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi e kërkuar nga deputeti socialist Nasip Naço, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillim normal të seancës plenare./