“Eco Park ka përfunduar, është bërë procedura e marrjes në dorëzim, është marrë në dorëzim nga bashkia Durrës.”
Kështu deklaroi sot kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ndërsa u pyet nga këshilltari bashkiak Ardian Muka, lidhur me këtë investim publik në ish-fushën e depozitimit të mbetjeve në Porto Romano.
Gjatë shpjegimit të saj, Sako zbardhi dhe shumë aspekte të përdorimit dhe mirëmbajtjes së kësaj vepre dhe parkut “Vala” për të cilët bashkia do të krijojë një ndërmarrje të re.
Mirëmbajtja
Sako: Përkohësisht i është transferuar Ndërrmarrjes “Rruga”. Ne jemi duke ngritur një strukturë, drejtori apo agjenci publike, që do ta menaxhojë. Pra do të jetë një institucion publik siç kemi Ndërmarrjen e Pastrimit, Ndërmarrjen “Rruga”. Do të kemi një ndërmarrje të tretë tek e cila do të transferojmë gjelbërimin dhe do të vendosim këto parqe urbane që kemi realizuar në këtë 3-vjeçar në qytetin e Durrësit, si Eco Park, Vala Park.

Tarifë hyrje
Sako: Do të vendosim një tarifë për aksesin atje, tarifë e cila do të shkojë drejtpërdrejt për mirëmbajtjen. Pra nëse do të kemi mini fusha kalceto, basketbolli apo tenisi siç ka tek Eco Park, këto do të përdoren me një tarofë që do të miratohet në Këshillin Bashkiak.

Menaxhimi i ndërmarrjes së re
Sako: Brenda muajit nëntor ne do të miratojmë strukturën për të cilën ju do të jepni opinionet tuaja në mbledhjen e radhës dhe në buxhetin e 2025 do të reflektohet efekti financiar për stafin, pagat dhe sigurimet shoqërore.
Kur do të hapet Eco Park?
Sako: Mendojmë se do të bëjmë një aktivitet për të rinjtë brenda muajit dhjetor, por prerje shiriti nuk ka për të ndodh”.
M.B.





