Policia e Tiranës ka njoftuar se kryetari i Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë nga gjykata e Tiranës pas një hetimi disa mujor.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune disamujore në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Election”. Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, për shtetasin Nikoll Deda, 68 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.

68-vjeçari dyshohet se ka shpërdoruar detyrën dhe nuk ka zbatuar rregulloren e brendshme për zgjedhjet e reja të Komitetit Drejtues. Po ashtu, mësohet se edhe me afat të përfunduar si kryetar i Urdhrit, ai ka shkarkuar pa të drejtë nga detyra një person.