Të dielën në mbrëmje (21:00) në mitikun Maracana të Rio De Janeiro, luhet finalja e Kupës së Libertadores mes Boca Juniors dhe Fluminense. Tifozët e skuadrës argjentinase kanë mbërritur tashmë në Brazil dhe menjëherë “zaptuan” të gjithë hapësirën në plazhin e famshëm të Copacabanas.

Mes këngëve dhe tymuesve, spektakli ishte i garantuar. Por, kjo është vetëm një pjesë e tablos duke qenë se ultrasit e Bocas nuk mund të qëndrojnë urtë, sidomos kur tifozeria e Fluminense kërkoi t’i prishë festën dhe kaloi aty pranë duke i provokuar.

Menjëherë, mes dy tifozerive nisën përplasjet fizike ndërsa situata u bë edhe më serioze me mbërritjen e policisë. Autoritet kërkuan të rikthenin rendin dhe përdoren plumba goma si dhe gaz lotsjellës. Nga raportimet e para, dy tifozë argjentinas janë në spital, të plagosur rëndë.

Ndërkohë, policia vijon punën për të shmangur të tjera përplasje mes tifozerive në orët pasardhëse teksa pritet që në Rio të mbërrijnë 100 deri në 150 mijë argjentinas për të ndjekur nga pranë skuadrën e zemrës në finalen e Kupës Libertadores.