Sipas dëshmitareve, të cilat ishin me Bleonën atë ditë, 6-vjeçarja ishte shprehur se do të ngjitej në kullotë, ku ishte halla e saj.

Bleona ka mbërritur në kullotë dhe atje është pritur e ushqyer nga halla e saj, Alketa.

Sipas dëshmive, kjo e fundit është shkëputur e para nga grupi i vajzave dhe ka hyrë në thellësi të pyllit për të marrë bagëtitë nga kullota.

Të njëjtën gjë kanë bërë më pas edhe vajzat e tjera duke lënë vetëm Bleonën e vogël.

Fati i Bleonës së zhdukur pa lënë gjurmë, që prej 2010-ës, vazhdon të mbetet ende mister.

Koha e gjatë që ka kaluar duket se e bën edhe më të vështirë zbardhjen e këtij krimi.

Të shumta kanë qenë pistat e hetimit të ngritura në vazhdimësi përgjatë këtyre viteve.

Më kryesorja është ajo që të çon në rrëmbimin e kësaj vajze, ndoshta për ta çuar fillimisht në Maqedoni, që është edhe pika më e afërt kufitare.

Nëna e Bleona Matës, Bukurie Veizi nuk ka ndalur në asnjë moment kërkimet për vajzën e saj, duke bërë publike vazhdimisht detaje të reja lidhur me vendin se ku mund të ndodhet Bleona me shpresën se një ditë do ta takojë vajzën e saj.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për babain e saj, Zamir Mata, i cili jeton aktualisht në Itali dhe jo vetëm që nuk është i interesuar më për vajzën e tij, por ka shkëputur lidhjet edhe me familjarët.

Një ngjarje e komplikuar dhe tro nditëse për të cilën ende sot nuk janë zbuluar gjurmë konkrete apo fizike duke e bërë një nga rastet më të vështira.