Kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli, u paraqit sot për të dytën herë në SPAK.

Me një dosje në dorë dhe i buzëqeshur, kur u pyet nga gazetarët nëse u paraqit për prova të reja në SPAK, Suli tha shkurtimisht: “Me dokumenta flasim gjithmonë ne”.

Rakip Suli ishte edhe dy ditë më parë në SPAK, ku pas dëshmisë në Prokurori tha se drejtësia duhet të lihet të bëjë punën e saj. Hetimet në bashkinë e Kamzës po kryhen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera për dy episode, shkelje e barazisë në tendera për pastrimin dhe fondet e tërmetit.

Aktualisht hetime po kryhen dhe tre bashki të tjera, të Vlorës, Rrogozhinës dhe Himarës. I Rrogozhinës ka dhe një akuzë tjetër për korrupsion në zgjedhje, ndërsa Jorgo Goro i Himarës është kallëzuar nga kryetari i votuar i të njëjtës bashki, Fredi Beleri, i cili gjendet në burg për zgjedhjet lokale.