Euro po vijon rënien në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të mërkurën me 104.65 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.2 lekë krahasuar me një ditë më parë dhe pothuajse 1 lekë që nga fillimi i këtij muaji.
Kursi Euro-Lek ndodhet aktualisht në vlerat më të ulëta të tre muajve të fundit dhe po kthehet në nivelet ku ndodhet periudhës së pikut të sezonit veror.
Në fakt, Leku arriti të ruajë pozita të forta edhe pas përfundimit të sezonit turistik, duke tregtuar se mbiçmimi i monedhës vendase tashmë mbështetet në ekuilibra të qëndrueshme të mekanizmave të tregut.
Pas një mbiçmimi të fortë në fund të muajit gusht deri sipër nivelit të 110 lekëve, Euro pësoi gradualisht rënie dhe në muajin tetor u stabilizua pranë nivelit të 106 lekëve. Por, që prej fundit të tetorit, po shfaqet një tendencë e re e forcimit gradual të Lekut ndaj Euros.
Megjithëse është e vështirë të identifikohen faktorët specifikë, agjentët mendojnë se tregu vazhdon të jetë në kushtet e një oferte të bollshme të Euros, falë një sezoni turistik me numra rekord dhe vlerave në rritje të investimeve të huaja direkte.