Myrto Uzuni është vlerësuar me çmimin futbollisti më i mirë në La Liga 2, pas paraqitjes mbreslënëse në sezonin 2022/2023 me fanellën e ekipit të Granada-s.
Në mbrëmjen gala të organizuar në Madrid, nga Shoqata Spanjolle e Futbollit, presidenti Javier Tabas, i dha trofeun prestigjoz sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Ndërkohë në La Liga, futbollisti i vitit u shpall sulmuesi i Real Madridit, Vinícius Júnior.
Myrto Uzuni, ishte protagonist absolut në sezonin e kaluar me 23 gola dhe 5 asiste në 38 ndeshje, duke e ndihumar ekipin e tij të ngjitej në sallonet e mëdha të futbollit spanjoll.
Në një postim në rrjetet sociale ku shfaqet me trofeun e marrë krah presidenti të La Liga-s, Javier Tebas, Myrto Uzuni shprehet shumë i lumtur.
“Shumë i emocionuar për të ndarë këtë arritje me të gjithë ju! Të emërohem lojtari më i mirë në La Liga 2 në Spanjë është një nder i madh për mua. Të jesh golashënuesi më i mirë dhe të ngjitesh në La Liga ishte një ëndërr e realizuar. Tani është koha të punoj shumë dhe të jap maksimumin tim për ta mbajtur këtë ekip aty ku e meriton të jetë, ndër më të mirët në Spanjë. Faleminderit tifozëve Granadës, ju jeni kyç në motivimin tim, shokët e skuadrës, trajnerët dhe familjen time për mbështetjen tuaj të palëkundur. Nuk mbaron këtu, sapo kemi filluar!”, shkruan Uzuni në Instagram.
Edhe në këtë sezon futbollisti shqiptar ka shfaqur një nivel të lartë duke shënuar 4 gola në La Liga në 12 ndeshje.





