Për plot 4 vjet me radhë, sezon pas sezoni, aktorja e njohur Arjola Demiri, e gjeti veten në spektaklin e humorit, për çdo të diel, “Portokalli”.

Koha në “Big Brother VIP”, natyrisht, e vendosi Arjolën edhe më shumë në vëmendje të të gjithëve, edhe për shkak të një historie të guximshme familjare.

Por kjo kohë kaloi, me gjithë vëmendjen e jashtëzakonshme që i tha fama gjatë dhe pas reality show-t.

E ftuar mbrëmjen e djeshme në “Natën me Aulonën”, aktorja tregoi më shumë për karrierën profesionale, por edhe për këtë periudhë që ajo e quan “pauzë” nga spektakli dhe televizioni.

Siç rrëfeu Arjola, kishte nevojë për një pushim të gjatë, ndaj edhe ndjeu nevojën për t’u shkëputur.

“Më mori rrjedha dhe thashë do vazhdoj edhe këtë sezon dhe vazhdova gati për dy sezone. në maj thashë do marr një pauzë dhe do mendoj se çfarë dua të bëj, sepse u bënë 4 vite në Portokalli, është një eksperiencë shumë e fuqishme për një aktor. është një shkollë dhe një master më vete dhe duke qenë se u kualifikove për 4 vjet, thashë dua të merrem me diçka tjetër që ndoshta mund të më rrisë mua artistikisht. Kam disa projekte, por i pari që do të vijë është ai i monodramës..”

Po pagesa? Arjola nuk druhet të flasë edhe për këtë, madje ajo ka konstatuar, kryesisht vitet e fundit që, “sa më shumë rritesh artistikisht, aq më shumë çmimi yt ulet”.