Makthi dhe vujajtet marrin fund. Babai i futbollistit të Liverpool, Luis Díaz, është liruar pas shumë lutjeshe.

I ati i Diaz, i cili u rrëmbye nga një grup gueril kolumbian muajin e kaluar, u lirua të enjten dhe iu dorëzua përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Kishës Katolike në Valledupar, Kolumbi.

“Falenderoj Zotin për këtë mundësi të dytë në jetë, ai më ktheu në shtëpi. Falenderoj të gjithë njerëzit dhe popullin e Kolumbisë për mbështetjen”, tha Diaz në momentin që mbërriti në shtëpi i shoqëruar nga policia.

Peshkopi i Riohaçës, Francisco Ceballos dhe Héctor Henao, delegat për marrëdhëniet kishë-shtet, i cili formoi komisionin humanitar të ngarkuar për lehtësimin e lirimit të tij, ishin në bordin e një helikopteri të financuar nga OKB-ja që morën babanë e Diaz, Luis Manuel Díaz, nga një zonë pyjore përgjatë kufirit kolumbian me Venezuelën.

OKB-ja tha se misioni i saj politik në Kolumbi ka punuar ngushtë me qeverinë kolumbiane, kishën katolike dhe grupin gueril të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për lirimin e z.Diaz.

“Ne ishim të përfshirë në dorëzimin e tij nga ELN në lirinë e tij. Ne, së bashku me kishën, ishim në krye të operacioneve aktuale, kështu që përdorëm helikopterët tanë, aeroplanët tanë”, tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stéphane Dujarric.