Pas ndarjes nga jeta të futbollistit Raphael Dwamena, i cili ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani, FSHF ka shtyrë të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë.
“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani.
Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar”, thuhet në njoftimin e FSHF.
Ndërkohë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nëpërmjet një reagimi në facebook, i shprehu ngushëllime familjarëve.
“Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave. Dwamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij.
Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Dwamena”, shkruan Duka.





