Ministria e Turizmit, Ministrinë e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nënshkruar një udhëzim të ri që përcakton nivelin e ri të zhurmave. 

Iniciativa është bërë nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, por Ministria e Brendshme ka shtuar këtu edhe ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve nga qytetarët në festa private. 

Në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se problematika e zhurmave duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme dhe për këtë do të ketë inspektime nga Policia e Shtetit dhe Policitë Bashkiake. 

“Problematika e zhurmave në mjedis, përfshirë ato nga përdorimi pa kriter i llojeve të ndryshme të lëndve piroteknike apo fishekzjarreve mbetet njollë e zezë që kërkon adresim të menjëhershëm. Zhurmat në mjedis përbëjnë cënim të rendit dhe qetësi publike, përbëjnë shqetësim për qytetarët, cënojnë edhe imazhin e turizmit tonë”. 

Balla konsideron njollë të zezë përdorimin e fishekzjarreve nga qytetarët në festa private, gjë që sipas tij do të ndalohet dhe në rastet e identifikimit do të vendoset gjobë ndaj qytetarëve, bizneseve private apo dhe ndaj institucioneve shtetërore. 

“Miratimi i udhëzimit të përbashkët përcakton në mënyrë të qartë nivelin kufi të zhurmës. Duhet të përfundojë dhe të zbatohet në mënyrë të rreptë rregulli nga Policia e Shtetit, praktika e hedhjes së fishekzjarreve në orët e vona të natës nga persona të pëpërgjegjshëm që festojnë festa private duke prishur qetësinë e natës së një qyteti të tërë. Policia e Shtetit bashkë me policitë bashkiake do ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës përfshirë edhe këto të fishekzjarreve dhe do ndëshkojnë me gjobë këdo, qoftë operatorët privatë ekonomik, qoftë institucione shtetërore. Krahas dënimit me gjobë, mund të vendoset edhe mbyllja e përkohshme apo e përjetshme e veprimtarisë ekonomike sipas ligjit”. 

Ministri i Brendshëm solli në vëmendje edhe ligjin për përdorimin e fishekzjarreve gjatë festave të fundit, të cilët lejohet të shiten në dyqane për 2 javë dhe përdorimi i tyre për 6 ditë. 

“Për të shmangur incidente me pasoja jetën e qytetarëve, sa i përket fishekzjarreve kam kërkuar që Policia e Shtetit duhet të kryejë njeherë inspektime të shtuara për artikujt piroteknik nga qytetarët. Ligji ka përcaktuar një afat 15-ditor për tregtimin e fishekzjarreve, nga 15 Dhjetori deri në Janar. Ligji thotë që përdorimi i tyre lejohet nga 27 Dhjetori deri më 1 Janar”.