Paraditen e kësaj të premteje gushti, terminali i portit të Durrësit ishte kthyer në një pikëtakimi për dhjetëra turistë nga vende të ndryshme të botës.
Gjeje në të grupe turistësh nga Australia e largët, SHBA, por edhe nga fqinjët tanë përtej Adriatikut. Në pritje për t’u imbarkuar në tragetet e linjës Durrës – Bari, ata ndanë me ne eksperiencën disa ditore të kaluar në zona të ndryshme turistike të vendit të shqiponjave.
Durrësi dhe Shqipëria janë një nga destinacionet më IN turistike këtë sezon veror dhe dëshmi e kësaj janë edhe përshtypjet e të huajve, të cilët shprehen mjaft të kënaqur nga pushimet e kaluara mes natyrës apo vijës bregdetare shqiptare.
“E duam shumë Shqipërinë., të gjithë ishin kaq miqësorë. Na pëlqeu sidomos natyra. Durrësi mu duk më i madh nga çfarë e kisha imagjinuar. Ishte shumë e lehtë të orientoheshe në qytet. Me ushqimin patëm pak problem, sepse jam vegjetariane, por kam shijuar shumë picat”.
“Në SHBA Shqipëria po kthehet në destinacion që duan të gjitha ta vizitojnë. Është një destinacion për të gjithë, sepse keni natyrën, por edhe sitet historike, gjë që përbën një kombinim të bukur. Për të mos folur pastaj për ushqimet tuaja tradicionale, që janë fantastike”.
“Ishim në Durrës dhe Krujë. Ne kemi ardhur nga qyteti i Përthit, në Australi. Mbërritëm në Rumani me krocerë dhe më pas erdhëm në vendin tuaj e tani do nisemi për në Itali. Ishte një qëndrim i shkurtër, por na pëlqeu zona bregdetare. Relievi tek ju është shumë i ndryshëm dhe jep mundësi për disa lloj pushimesh”.
“Ishte një aventurë pushimi këtu. Qëndruam disa ditë në Ksamil. Ishin pushime vërtet të bukura”.
“Ishin pushime të mira, pasi Ksamili ishte një vend shumë i bukur, lokalet dhe restorantet na pëlqyen shumë. Në fillim miqtë u habitën që zgjodhëm Shqipërinë për pushimet verore, por kur panë pikat turistike ku ne shkuam na dhanë të drejtë”.
Ka nga ata që ikin, por edhe nga ata që vijnë. Ky çift mga Italia, nuk ka ardhur vetëm për pushime, por edhe për të ndjekur një dasmë tradicionale shqiptare. Sapo kanë zbritur në port, por për Shqipërinë kanë dëgjuar shumë.
“Vijmë për herë të parë këtu, sepse na kanë ftuar në një dasëm. Do të pushojmë, por edhe do të jemi në dasmë. Do të jetë interesante, sepse më kanë shpjeguar pak sesi janë dasmat tuaja. Do të martohen dy të rinj shqiptarë që jetojnë në Itali, por dasmën do ta bëjnë në atdhe. Kemi menduar të bëjmë pak plazh, por edhe të vizitojmë Alpet”.
“Na kanë thënë që do të përjetojmë një festë të vërtetë në dasmë dhe mezi po presim. Në Itali shumë bashkëatdhetarë na kanë folur për pushimet e kaluara këtu. Shpresojmë se do të zbavitemi dhe do të kënaqemi”.
Për shumë nga turistët, rikthimi sërish në Shqipëri mbetet një opsion i hapur, madje disa prej tyre kanë nisur që tani të planifikojnë udhëtimin e radhës.
“Patjetër që do të kthehemi. Duam të eksplorojmë kanionet tuaja, por edhe plazhet, sepse keni natyrë të mrekullueshme”.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, Shqipëria regjistroi mbi 5 milionë shtetas të huaj, ose 6.2% më shumë se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, hov i madh u vu re në muajin qershor dhe korrik, kur vendi u vizitua nga afër 2 milionë vizitorë të huaj, duke e renditur vendin tonë ndër destinacionet kryesore në rritje në Evropë.
M.B.





