Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për vrasjet e 21 janarit.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve në Dibër, kreu i qeverisë tha se drejtësia nuk harron, ndërsa tha se vrasjet janë shtetërore.
Rama i cili është njeriu që organizoi protestën e dhunshme në vitin 2011, tha se vrasja e protestuesve nuk do të mbeten të pa ndëshkuar.
“Dje e ndoqët që gjykata e të drejtave të Njeriut në Strasburg, gjykata më e lartë e gjithë vendeve europiane, vendimet e saj janë udhërrëfyes për shtetin e së drejtës në Europë dhe janë detyruese për çdo vend europian. Gjykata nxori vendimin duke e rrezuar gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për 21 janarin dhe duke nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që do ishte trajtuar padiskutim ashtu siç e nënvizon sot gjykata nga çdo vend demokratik, ku drejtësia është e pavarur dhe ku pushteti nuk ia mban dorën drejtësisë. Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala për cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau e cili nuk vrau. Janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk kishin rrezik për askënd. Ndaj cështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë të këtij shtetit. Dhe si ka mundësi, që si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit ky vend nuk pa asnjë lloj drejtësie. Por pa një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre. Ky vendim është mishërimi më konkret se drejtësia vonon por nuk harron. E kam thënë vite më parë, 21 janari është një nga ato krime që mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë e të jetë më e gjatë se drejtësia e vonuar, por është nga ato krime që kurrë nuk mbeten pa ndëshkuar, në cilin do moment sado vonë, nuk është e mundur. Është krim shtetëror, me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie dhe të paligjshëm. Ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri, ku për herë të parë, populli po shikon që si një qytetar i zakonshëm si një njeri me pushtet, mund të jenë të barabartë”,-tha Rama.