Në takimin e rradhës të nismës rajonale Ballkan i Hapur që u mbajt në Beograd kryeministri Rama tha nëpërmjet lidhjes online se në këtë rajon duhet që të ndërtohen ura bashkëpunimi ku fëmijët të jetojnë së bashku në paqe.
Rama tha se prania e presidentit të ri malazez Milatoviç në këtë event të nismës Ballkani i Hapur tregon rëndësinë e saj si një hap drejt progresit.
“Miqtë e mi të dashur do të kisha dëshiruar që të isha me ju në këtë event ku veçanërisht dua që të falenderoj për praninë e tij presidentin e ri malazez. Prezenca e tij dëshmon natyrën konstruktive e gjithpërfshirëse të iniciativës sonë. Shtetet e rajonit duhet të ndërlidhen dhe në të ardhmen të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore në një vend ku të gjithë të jetojnë së bashku. Ne kemi mësuar se ndarjet e së kaluarës mund të pengojnë të tashmen dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Jam i bindur se e ardhmja jonë duhet të jetë e ndryshme nga e kaluara dhe e tashmja. Pyetja nuk është nëse, por kur. Unë jam i përkushtuar që të jap kontributin tim për këtë qëllim.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë krijuar për të ekzistuar krah për krah, ndaj ky rajon duhet transformuar për gjeneratat e reja. Të ndërlidhim vendet tona me botën, por të mos lidhemi me njëri-tjetrin është dritëshkurtër. Le të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe të mos i përsërisim ato. Le të punojmë së bashku dhe ta kthejmë rajonin në një vend ku fëmijët tanë do të jetojnë së bashku.”
Presidenti Vuçiç tha se Ballkani i Hapur është një projekt paqeje për një rajon të begatë dhe të qëndrueshëm në një treg prej 20 milionë konsumatorësh.