Snoop Dogg po heq dorë nga tymosja e marijuanës.
“Pas konsiderimit dhe shumë bisedash me familjen time, kam vendosur të heq dorë nga hashashi”, iu tha reperi 82.5 milionë ndjekësve të tij të Instagram. “Ju lutem, respektoni privatësinë time në këtë periudhë”.
Lajmi mund të jetë shokues për disa pasi Calvin Broadus (emri i vërtetë) e ka shprehur prej kohësh dashurinë e tij ndaj hashashit, madje ka thënë se ka tymosur edhe në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka hapur disa biznese të lidhura me hashashin si një kompani mediatike me fokus ndaj tij si “Merry Jane” dhe një linjë me produkte kanabisi.
Gjithashtu ka investuar në Casa Verde Capital, një firmë që mbështet bizneset e reja të marijuanës.
Dashuria e Dogg ndaj hashashit ka arritur të jetë në krye të lajmeve rozë. Në vitin 2019 ai zbuloi se kishte një person të dedikuar, puna e vetme e të cilit ishte përgatitja e cigareve. Në 2021, ai shkroi në Reddit se konsumonte 81 cigare hashashi në ditë.