Nga Bujar Qesja
Shumë e rrallë kjo që ndodh, me dy emrat e njohur të topkëmbës Vladimir Ajazi dhe Agim Bulku. Agim Bulku u lind me 8 prill 1951, ndërsa Vladimir Ajazi me 22 shkurt 1952. I dhanë shumë futbollit. Krijuan raporte historike jo vetëm për kohën që luajtën, por edhe për qytetarinë durrsake dhe opinionin sportiv kombëtar.
Që të dy kishin ëndërra për t’u bërë futbollistë. U dalluan që të vegjël. U takuan në shkollën e mesme të futbollit “Loro Boriçi” në Tiranë. Luajtën aty, Ajazi portjer dhe Bulku sulmues. Po së bashku mbaruan shkollën e lartë të futbollit, me trajner të mënçurin Zyber Konçi.
I përkasin erës së re që filloi të ndjehet fuqishëm në futbollin shqiptar në fillim të viteve 70-të. “Shkëndija” e famshme, ishte eksperimenti më dobiprurës që u bë për kohën. Ndër emrat më të spikatur të atij brezi xhonglerësh me topin, renditen edhe Vladimir Ajazi me Agim Bulkun. Mesi i viteve 70-të, i rradhiti në ekipin e “Lokomotivës”, duke qenë në formaconin kryesor. Bulku godiste rrjetën dhe Ajazi e mbronte atë.
Vladmir Ajazi dhe Agim Bulku, sërish në krah të njëri tjetrit. Mjeshtëria sportive, aftësia për të bërë të “këndojë” topin në këmbët dhe duart e tyre, i përfshiu në përfaqësuesen e Shqipërisë për ekipet “Shpresa”. Dhe u dalluan për cilësi dhe korrektesë.
Me fillimin e viteve 80-të, Bulku dhe Ajazi sërish në një rradhë. Trajnerë të ekipit “Lokomotivës”. Fama e tyre jo vetëm nuk u shua por erdhi në rritje. Seriozë. Korrektë. Të aftë profesionalisht. Gëzojnë popullaritet të jashtëzakonshëm në popull. Që të dy më pas punuan edhe me futbollin e të rinjve. Ajazi si drejtues rajonal nga FSHF-ja, dhe Agimi si krijues i shoqatës së futbollit për fëmijë “Tropikal”.
Kulmi arriti kur Agim Bulku u emërua Kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve në rrethin e Durrësit, ndërsa Lad Ajazi sekretari i klubit sportiv “Lokomotiva”. Shkëlqyen në këtë poste falë përkushtimit, sakrificës dhe aftësive organizative.
Ajo që fiksoj përfundimisht këtë lidhje, ndërmjet dy emrave nga më spikatur të futbollit durrsak, është data e largimit nga jeta. Si në të gjallë dhe pas saj, i lidhi përjetësia. Vladimir Ajazi mbylli sytë në orën 07.00, në mëngjesin e datës 18 nëntor 2021. Ishte ditë e enjte.
Ndërsa Agim Bulku, ndali frymëmarrjen 48 orë më pas. Ishte ora 10.45 minuta, ditë e shtunë, por e njëjta datë 18 nëntor 2023. Përkim i rrallë, i dy ëndërrimtarëve të futbollit, që i lidhi së bashku mosha e shkollës ku studiuan dhe luajtën futboll, ekipi “Lokomotiva” si lojtarë dhe trajnerë dhe Durrësi si drejtues kryesorë të fizkulturës dhe sporteve.
Agim Bulku! Vladimir Ajazi! Përfaqësues të brezit të artë, të atij që quhet futbolli durrsak dhe jo vetëm. Vladimir Ajazi “Mjeshtër i Madh” dhe që të dy së bashku me Agim Bulkun, janë “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”.
Por mbi këto, ato morën titullin më të lartë, më të merituar atë të Mirënjohjes dhe Krenarisë të qytetarisë durrsake dhe dashamirësve pasionante të sporteve.
Mirënjohje dhe nderim për Agim Bulkun dhe Vladimir Ajazin! Ishin dhe mbeten deri në fund të jetës, krenaria absolute e Durrësit.