Hashtag-u #orangepeeltheory ka mbi 15 milionë shikime në TikTok dhe njerëzit kanë ndarë përjetimet e tyre lidhur me partnerin. Koncepti u bë viral më 4 nëntor nga disa ‘screenshots’ mesazhesh të shkëmbyera mes dy ish-partnerëve.
Në një mesazh thuhet “më merr malli kur qëroje portokallin për mua në mëngjes”. Ish-partnerët bëjnë shaka lidhur me këtë dhe vajza thotë se nuk di ende si ta bëjë “pa u spërkatur me lëng”. Biseda mbyllet dhe ata bien dakord që mos të flasin më derisa ajo i shkruan sërish një ditë duke i thënë: “E qërova portokallin sot”. Këtë herë, ngjyra e mesazhit tregon se personi tjetër e ka bllokuar si kontakt.
Përdoruesit kanë ndarë historitë e tyre të bukura ose jo. “I kërkova dikujt shumë të dashur që të qëronte një portokoll për mua dhe e bëri, por duke psherëtirë dhe rrotulluar sytë. Kështu që tani i qëroj vetë në heshtje që të mos bezdis njeri”.
Të tjerë kanë mesazhe më optimiste edhe nëse nuk përfshihet fare qërimi i një portokalli. “Teoria e qërimit të portokallit më ka bërë të mendoj për gjërat e vogla që i dashuri im bën që në të vërtetë janë të mëdha”, shkroi një vajzë në një video ku i dashuri i saj shfaqet duke mbajtur qeset e ushqimeve. “Është bukur të dish se dikush do qëronte portokaj për ty, njësoj si ti për ta”.
Një vajzë tjetër shkruan: “Sapo mësova se çfarë është teoria e qërimit të portokallit. Ky njeri e di se unë mund të bëj gjithçka vetë, por nuk e pengon që të ma lehtësojë ditën. Ai më kreh flokët. Lan enët sepse e di që urrej ta bëj. Më hap derën sepse e di që më bën të buzëqesh. Më lan fytyrën kur jam e këputur për gjumë. Më merr nga puna që mos të kthehem me autobus. Diksuh që kujdeset për ty vetëm sepse të do është ndjesia më e sigurt në botë”.
“Teoria ime e qërimit të portokallit është se çdo mëngjes që bashkëshorti im ikën në punë më puth në kokë duke menduar se jam në gjumë dhe nuk e ndiej (gjithnjë e ndiej) dhe rregullon anën e tij të krevatit kështu që mëngjesi im është më pak i ngarkuar dhe i mbushur me dashuri”, shkruhet mbi një tjetër video që ka marrë 77 mijë pëlqime.
Nuk ka garanci se sa do të zgjasë një marrëdhënie, por nëse personi juaj i zemrës e kalon testin e qërimit të portokallit, me shumë gjasë do të jetë një lidhje me shumë gjestë të vogla dhe të ëmbla dashurie.